A e dini se?

 Asllani – Studio Ligjore – Zvicer, Shani A s l l a n i, jurist i diplomuar,

29. Gusht 2019, Winterthur – Zvicër

PËRKTHIMET DHE PËRKTHYESIT

Përse duhen përkthyesit e kualifikuar?

Për fat të keq profesioni i përkthyesit (i cili përkthen me shkrim tekste nga një gjuhë në një gjuhë tjetër ose që përkthen me gojë ) nuk është i mbrojtur me ligj. Kjo do të thotë që secili prej nesh që mendon se zotëron një gjuhë në atë masë sa të përkthejë, atëherë mund të thotë se është me profesion përkthyes.

Përjashtim bëjnë vetëm emërtimet “përkthyes i diplomuar” (që nënkupton se përkthyesi në këtë rast është diplomuar për përkthim në universitet) ose emërtimi përkthyes i autorizuar nga organet shtetërore, i cili jepet si rezultat i marrjes së provimit për përkthyes që organizohet nga ministritë e kulturës dhe arsimit të shtetit përkatës.

Për fat të keq, sidomos në rastin e gjuhëve të rralla, ekziston tendenca që ata që e dinë në një farë mase gjuhën e huaj konsiderohen si përkthyes të përshtatshëm. Është për t’u theksuar se përkthimi është më tepër se të zotërosh thjesht dy gjuhë. Në thelb, detyra kryesore e përkthyesit është që ta marrë tekstin bazë, ta ndajë në pjesë kuptimore dhe pastaj ta krijojë përsëri në gjuhën tjetër me një gramatikë korrekte dhe të kuptueshme për lexuesin.

Pikërisht këtë aftësi nuk e kanë përkthyesit të cilëve u mungon kualifikimi i duhur. Gjithashtu një tjetër mendim i gabuar është të thuash se folësit e gjuhës amtare kanë automatikisht kompetencë gjuhësore. Ata që e kanë mësuar gjuhën amtare në diasporë, që shkollimin e kanë bërë në një gjuhë tjetër dhe që e flasin shqipen vetëm brenda familjes ose me shokët e shoqet e tyre, kanë vështirësi të mëdha gjuhësore.

Zakonisht ata flasin vetëm dialektin e krahinës nga rrjedhin. Atyre u mungon aftësia gjuhësore për të kuptuar dialektet e tjera dhe kanë një fjalor gjuhësor të cunguar, të bazuar në termat e zakonshme brenda familjes. Nga ana tjetër nuk duam të aludojmë se vetëm përkthyesit e kualifikuar janë përkthyes të mirë.

Sigurisht që ka dhe raste kur ndonjëri nuk i ka dhënë provimet e duhura pavarësisht se e kishte aftësinë për një gjë të tillë.

Nga ana tjetër mund të thuhet me plot gojë se përkthyesi i kualifikuar ka dhënë prova të pakontestueshme të aftësive të tij dhe kështu klienti e ka të qartë se po e blen një shërbim nga një zyre që profesionalisht mirret me perkthime dhe ka kualifikimet e caktuara.